Lajme

Gruaja ushtron dhunë ndaj burrit në Prishtinë, s’e lejon ta marrë veturën për të shkuar në punë

Rastet e dhunës në familje janë të shpeshta në vendin tonë, por rrallë ndodh që viktima të jenë burrat, pasi që zakonisht dhunën e denoncojnë gratë. Kështu ka ndodhur në një familje në rrugën “Agush Isufi” në Prishtinë, ku plasi sherri mes një çifti, por kësaj here viktimë është një burrë, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson se rastin në Polici e ka denoncuar burri 47-vjeçar, i cili ka deklaruar se bashkëshortja e tij ka ushtruar dhunë psikike ndaj tij pas një mosmarrëveshje mes tyre. Bazuar në dëshminë e tij, burimet thonë se e gjithë ngjarja ka ndodhur në shtëpinë ku jetojnë çifti.

Pas konfliktit që nisi mes tyre, gruaja e dyshuar nuk e ka lejuar bashkëshortin që ta marrë veturën e tij që të nisej për punë, çka e tensionoi edhe më shumë situatën dhe u kërkua ndihma e Policisë.

E dyshuara është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku është përballur me denoncimin kundër saj, me ç’rast pas përfundimit të procedurave policore me urdhër të prokurorit ndaj saj është iniciuar rasti ‘Dhunë në familje’.