Lajme

Fjalët e Naim Murselit në gjykatë: Nuk kam ikur nga vendi i ngjarjes, kam qenë edhe unë i rrezikuar

Gjykata Themelore në Prishtinë sot ka caktuar masën e paraburgimit për një muaj ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës lidhur me dyshimet për vrasjen e Liridona Ademaj.

Nga vendimi i gjykatës mësohet se Naim Murseli po dyshohet për vrasje të rëndë në bashkëkryerje, ndërkaq bashkëvendasi i tij, Granit Plava për vrasje të rëndë.

Kurse i dyshuar i tretë që mori pjesë në këtë akt makabër, dyshohet për për marrëveshje për të kryer veprën penale vrasja e rëndë, shkruan Sinjali.

Seanca lidhur me shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë për paraburgim u mbajt sot ku u deklarua edhe i dyshuari Murseli dhe avokati i tij Ahmet Ahmeti.

Murseli tha se ai nuk kishte ikur nga vendi i ngjarjes dhe kishte qenë vetë i rrezikuar.

“Unë nuk kam ikur nga vendi i ngjarjes, madje kam qenë vetë i rrezikuar dhe kam kërkuar ndihmë në të njëjtën kohë deri në ardhjen e policisë” – thuhet se ka thënë i dyshuari sipas vendimit të gjykatës.

Avokati Ahmet Ahmeti kishte thënë se Naim Murseli nuk e ka kryer veprën penale në vend, kohë dhe mënyrë siç përshkruhet në dosjen e prokurorisë dhe nuk është i përfshirë në vrasje.

“I mbrojturi im nuk është fare i involvuar në kryerjen e këtyre veprave penale dhe nuk ka arsyje të përsëris veprën penale se nuk e ka bë”– ka thënë avokati Ahmeti.

Në bazë të kësaj Ahmeti kishte kërkuar nga gjykata që kërkesën për caktimin e paraburgimit të mos e aprovojë, apo të caktojë një masë alternative.

Vendimi për caktimin e paraburgimit është marrë nga gjyqtarja e procedurës paraprake Sulltane Hoti.