I vdiq foshnja pas disa orësh – Gruaja që lindi në banesë ishte në muajin e 8 të shtatzënisë, s’ishte trajtuar më parë në Gjinekologji
Gazeta Sinjali raportoi sot për një rast të rëndë që ka ndodhur në një familje në Prishtinë, ku një nënë që ishte në pritje të ëmbël lindi papritmas në banesën e saj, ku për pasojë foshnja nuk mbijetoi dhe më pas vdiq. Për rastin janë deklaruar edhe Policia, me ç’rast është bërë e ditur se tashmë kanë nisur hetimet.
Sinjali ka mësuar se gruaja ka lindur foshnjën në javën e 34/35 të shtatzënisë (muaji i tetë) pra lindje e parakohshme dhe nuk është trajtuar më parë në Klinikën e Gjinekologjisë.
Kjo është konfirmuar edhe nga Zef Ndreja, drejtor i kësaj klinike, i cili në një përgjigje për Sinjalin tha se nëna është pranuar në klinikë të dielën rreth orës 23:00, ndërkohë që foshnja është transferuar nga mjekët në Klinikën e Neonatologjisë.
Sipas tij, rasti është trajtuar si i dyshimtë dhe menjëherë janë njoftuar organet kompetente.
“Rast social që ka kryer lindjen në shtëpi me dt. 15 dhe është pranuar në KOGj rreth orës 23:00. Foshnja është transferuar menjëherë te kolegët tanë kujdestar në Klinikën e Neonatologjisë. Ndërsa (nëna e foshnjës)po trajtohet në KOGj. Mund të ju informoj se rasti është pranuar si i dyshimtë (rast social )për çka menjëherë janë informuar organet kompetente sipas detyrës zyrtare, të cilët janë duke u marrë me rastin.”, tha Ndreja për Sinjalin.
Burimet brenda QKUK-së kanë bërë me dije për Sinjalin se rasti ka ndodhur mbrëmjen e 15 tetorit, ku gruaja u drejtua për në Gjinekologji bashkë me foshnjën e porsalindur.
Por pavarësisht intervenimit të mjekëve, fatkeqësisht, pas disa orësh, fëmija ka ndërruar jetë dhe është njoftuar menjëherë Policia.
Sipas të njëjtave burime, gruaja ka qenë në banesën e saj kur i kanë filluar dhimbjet, si një sinjal i fillimit të procesit të lindjes. Ndonëse akoma nuk dihet se në cilin muaj të shtatzënisë ishte e njëjta, ajo lindi në banesë – situatë kjo që e alarmoi dhe menjëherë familjarët e dërguan në QKUK bashkë me foshnjën
Në bazë të informacioneve që ka Sinjali, në orët e mëngjesit të ditës së djeshme, pra pa u bërë 12 orë nga lindja, foshnja ka ndërruar jetë.
Nga spitali është njoftuar Policia, ndërkohë që njësitet përkatëse kanë intervenuar në vendin e ngjarjes, ku janë marrë informacionet e para për atë që ka ndodhur.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që rasti të iniciohet si “Hetim i vdekjes”, ndërsa trupi i pajetë të dërgohet në IML për obduksion.