Krasniqi: Fatkeqësi që SHBA e shikon Kosovën nga prizmi i zhgënjimit
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka folur rreth vizitës së tij në SHBA. Vizita e tij zyrtare do të realizohet javën e ardhshme, kryetari i PDK-së deklaroi se do të qëndrojë në Washington DC dhe New-York, ndonëse paraprakisht, të hënën e të martën, do të këtë vizitë në Bruksel.
Krasniqi tha se gjatë vizitës në Bruksel, takimet kryesore do t’i zhvilloj në Parlamentin Evropian, me një numër të konsiderueshëm të eurodeputetëve, kryesisht të atyre që kanë interes dhe merren me Kosovën, por edhe me ndërmjetësin e dialogut Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
“Unë atje do të paraqes qëndrimet e PDK-së në lidhje me zhvillimet aktuale në Kosovë, por edhe në rajon”, tha ai, duke shtuar se do të ketë qëndrimet shtetërore të cilat i ka konsidetente si parti, në fokus të zhvillimeve që ndërlidhen jo vetëm në raport me Serbinë, por edhe perspektivën dhe ambiciet e Kosovës për të qenë anëtare e barabartë e familjes ndërkombëtare të shteteve”, tha Krasniqi në RTK.
Ai u shpreh se para së gjithash, këtë vizitë e konsideron të rëndësishme për shkak të momentit në të cilin po zhvillohet
“Do të dëgjoj me vëmendje se cilat janë qëndrimet e Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sepse kohëve të fundit vërtetë është shqetësues fakti që në disa nga deklarimet e nivelit më të lartë, e shohim një fjalë që nuk e kemi dëgjuar më herët e që është fjala- zhgënjim. Është fatkeqësi që sot Kosova të shikohet nga prizmi i zhgënjimit, nga vendi që i ka ndihmuar Kosovës më së shumti”, deklaroi Krasniqi.
Kryetari i PDK-së e konsideron të rëndësishme këtë vizitë për faktin që sipas tij, në këtë kohë nuk është mirë që Qeveria të sanksionohet me anulim të vizitave të zyrtarëve të saj, të njerëzve të pushtetit.
“Por, shpresoj që qëndrimet tona të cilat unë besoj se janë të ngjashme për sa i përket objektivave shtetërore të Kosovës, ta luajë rolin e vet”.