Lajme

Zoran Gjingjiq kërkonte federalizimin e Kosovës: Shqiptarët të bashkëpunojnë me Shqipërinë, serbët me Serbinë

Ish-Kryeministri i Serbisë Zoran Gjingjiq që ishte vrarë para 20 vjetësh, më 12 mars të vitit 2003, pak ditë para atentatit kishte shpalosur idetë e tij për një zgjidhje për Kosovën.

Ish – kreu i qeverisë serbe në intervistën e tij të fundit dhënë për mediat serbë në shkurt vitit 2003, kishte thënë se çështja e Kosovës duhet të zgjidhet sa më shpejt që të jetë e mundur, shkruan direktno.rs.

Gjingjiq kishte kritikuar ashpër komunitetin ndërkombëtar, që sipas tij po eliminonte çdo lidhje ndërmjet Serbisë dhe Kosovës – nga legjislacioni, sistemi doganor dhe tatimor, deri te prona shtetërore dhe përfaqësimi ndërkombëtar. Ai thoshte së duhen disa faza për procesin e zgjidhjes së çështjes së Kosovës.

“Ideja ime e parë është federalizimi ku serbët janë popull konstituiv që do t’i këtë institucionet në kuadër të institucioneve të përbashkëta. Ne si Serbi pastaj do t’i jepnim kohë një Kosovë të tillë të funksinojë, nëse mundet, nëse jo.

Tutje, ish -Kryeministri serb elaboronte edhe një ide tjetër.

“Kosova është një rrezik për shtetësinë serbe, një plagë përmes së cilës mund të na rrjedhë pika e fundit e gjakut. Duhet ta mbyllim disi. Maksimalisht favorshëm për ne, por me një kompromis me palën tjetër, me shqiptarët që jetojnë në Kosovë. Le të gjejmë ndonjë kompromis dhe përmes bashkëpunimit rajonal dhe dypalësh të pjesës shqiptare të Kosovës me Shqipërinë, të pjesës serbe të Kosovës me Serbinë, pa ndryshuar kufijtë, pa ngritur çështjen e sovranitetit, njerëzve dhe biznesit, le ta zgjidhim atë çështje në atë mënyrë”, thoshte ai

“Bota nuk është në disponim për këtë, por jam shumë i kënaqur që shoh se njerëzit në Serbi janë shumë më të disponuar nga sa prisja. Është një temë e diskutueshme dhe e nxehtë, por liderët duhet të hapin tema të tilla, jo për të ndërgjegjësuar publikun, por për të vënë në dukje problemet. Kosova është problem për ne, nuk mund t’i mbyllim sytë përpara realitetit”, pati theksuar ai.

Zoran Gjingjiq u vra më 12 mars 2003 në hyrje të ndërtesës së Qeverisë së Serbisë dhe Kosova shpalli pavarësinë e saj në vitin 2008, e cila është njohur nga me shumë se 100 vende të botës.

Sot Kosova është shtet i pavarur dhe është anëtare e disa organizatave ndërkombëtare si FMN, Banka Botërore, CEFTA, FIFA dhe UEFA, por jo pjesë e Kombeve të Bashkuara dhe Këshillit të Evropës. Në këtë të fundit Kosova ka aplikuar së fundi dhe ka sinjale pozitive që shpejt të bashkohet.