Lajme

Zjarrfikësit të pakënaqur me paga – “Qeveria Kurti asnjë hap para, nuk i ka përmbushur obligimet”

Në fillim të muajit shkurt, Qeveria e Kosovës kishte vendosur të caktojë koeficientin e Ligjit të Pagave për punëtorët e sektorit publik. Kjo vlerë do të ishte 105 euro. Por, jo të gjithë e përkrahen këtë vendim. Në mesin e profesioneve që kanë shprehur pakënaqësi janë edhe zjarrfikësit.

Gazeta Insajderi ka kontaktuar me Kryesindikalistin, Muharrem Beka nga Sindikata e Zjarrfikësve të Kosovës.

Ai tha se paga e zjarrfikësve vazhdon të jetë e ulët krahasuar me policinë, gardianët dhe doganierët.

Sipas tij, përkundër rrezikut që ka, paga është më e dobëta në nivel vendi.

“Zjarrfikësit janë ndarë shumë të pakënaqur me koeficientin e ri, sepse duke u bazuar bë raport me shërbimet e tjera emergjente jemi shumë ma ulët me policinë e Kosovës, Gardianët, Korrektuesit edhe Doganieret. Pra, me shërbimet e sigurisë nuk jemi nda te kënaqur ani pse ka rritje të pagës bazë pak. Sepse kemi qenë me pagën më të ulët në nivel vendi, nuk e dijm si do te jetë çështja e rrezikshmërisë, sepse rrezikojnë shëndetin dhe jetën. Mirëpo, te pakënaqur janë shumë zjarrfikësit”, tha kryesindikalisti për Insajderin.

Në anën tjetër, Beka tha se kjo është edhe një prej arsyeve pse ka mungesë të zjarrfikësve në Kosovë.

Ai tha se kriteri i zjarrfikësve gjithashtu nuk është plotësuar. Në nivel vendi janë vetëm 800 të tillë, nga 1300 sa do duhej të ishin gjithsej.

Kryesindikalisti tha se edhe mosha e zjarrfikësve është e shtyer, duke përmendur moshën 50 vjeçare si mesatare të punonjësve të këtij shërbimi.

“Nuk kemi sigurim shëndetësore mungojnë pajisje, mosha mesatare është e shtyrë 50 vite, krejt këto probleme kur analizohen me të vërtet është për tu habitur kemi pasqyruar gjendjen dhe kemi prit që do të zgjidhen këto probleme, por nuk është bërë diçka. Përafërsisht janë 800 zjarrfikës në krejt komunat, nuk është plotësuar kriteri i zjarrfikësve mungojnë edhe 400 në nivel vendi”, tha Beka për Insajderin.

Mungesa e pajisjeve, sigurimi shëndetësorë dhe mosdefinimi i statusit juridik, janë disa probleme të tjera me të cilat ballafaqohen punëtoret e këtij shërbimi.

Beka tha për Insajderin se shpëtimtarët nuk po trajtohen mirë, ky trajtim qon edhe në mungesë të tyre, ku sipas tij ka edhe komuna me vetëm 3 zjarrfikës në ndërrim.

“Ka mungesë të pajisjeve, ne këtë shërbim ka mjaft shumë punë për tu bërë ketë e dinë edhe institucionet, sektori i zjarrfikëseve është një mal me probleme ne nuk kemi status juridik, jemi të pa definum sa i përket kompetencave menaxhuese. Por kështu nuk kan mundësi si punojnë me një page të ulët, Ka komuna që kanë vetëm 3 zjarrfikës në ndërrim. Urojmë që dikur do të kuptohet rëndësia”,

Të pakënaqur zjarrfikësit janë edhe me vetë Qeverinë e Kosovës dhe vendimet që ajo merr.

Kreu i Sindikatës së Zjarrfikësve tha se Qeveria Kurti nuk ka realizuar as obligimet e vitit 2022 pavarësisht takimeve që ky institucion ka realizuar.

Ai tha se nuk ka asnjë hap para nga Qeveria, situata po mbetet e njëjtë.

“Kemi pas takime me Qeverinë, obligimet e vitit 2022 ende nuk i kanë kry. Qeveria kishte marrë zotim që zjarrfikësit do të paguhen mirë por, është çështje e komunave dhe ministrisë. Janë probleme që vazhdojnë shpesh të zjarrfikësve, nga qeveritarët ska asnjë hap para e njëjta gjendje”, tha ai për Insajderin