Zëvendësministri i Qeverisë Kurti në gjendje të dehur godet me veturë zyrtare motoçiklistin, lirohet në procedurë të rregullt
Zëvendësministri i Zhvillimit Rajonal, Ali Tafarshiku ka shkaktuar mbrëmë një aksident trafiku.
Gazeta online Reporteri.net mëson se zëvendësministri i Qeverisë Kurti ka goditur me veturë një motoçiklist. Nga burime brenda policisë, Reporteri.net merr vesh se zëvendësministri Tafarshiku ka qenë në gjendje të dehur në momentin kur mbrëmë e ka shkaktuar aksidentin.
Rasti ka ndodhur mbrëmë rreth orës 22:00 në rrugën “Ali Pashë Tepelena” në Gjakovë.
Ai ishte me veturë zyrtare kur duke mos përshtatur shpejtësinë me kushtet e rrugës ka goditur motoçiklistin, duke i shkaktuar lëndime trupore.
Pas rastit, Tafarshiku është shoqëruar në polici ku i është bërë edhe testi i alkoolit dhe ka rezultuar pozitiv, dhe se kishte konsumuar 2.30% promil, raporton gazeta online Reporteri.net.
Gazeta online Reporteri.net po ashtu merr vesh se i njëjti pas rastit dhe intervistimit në polici është liruar në procedurë të rregullt.