Zbulohet “plani i gjerë” i 16-vjeçarit nga Peja për vrasjen e nxënësve të shkollës, Prokuroria jep detaje
I mituri që u arrestua të shtunën në Pejë, nën dyshimet për veprën penale “Përgatitja e veprave penale terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, është dërguar sot në paraburgim. 16-vjeçari që po dyshohet se kishte plane për t’i vrarë nxënësit e klasës së tij, po hetohet nga Prokuroria Speciale, e cila tashmë ka dalë me njoftim lidhur me rastin, raporton Sinjali.
Sipas njoftimit të fundit të Prokurorisë, i dyshuari B.M., në një periudhë kohore disamujore ka bërë plane dhe është përgatitur për ndërmarrjen e një sulmi të gjerë ndaj disa nxënësve të një shkolle në Pejë.
“Me këto veprime i pandehuri B.M. kishte për të kryer veprën penale ‘’Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës’’, nga neni 138 lidhur me nenin 129 të Kodit nr. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Prokurori i Prokurorisë Speciale, gjatë ditës së sotme ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, si dhe, ndaj të njëjtit Gjykata kompetente ia ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.”, thuhet në njoftim.