Zbulohet një rast i dhunimit në Pejë, i dyshuari 20-vjeçar dyshohet se abuzoi seksualisht me një të mitur
Numri i rasteve të ngacmimeve, sulmeve e dhunës seksuale në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Zakonisht viktima janë vajzat dhe gratë të cilat raportojnë në Polici se janë keqpërdorur seksualisht nga persona të panjohur. Për një rast të tillë që dyshohet se ka ndodhur në Pejë, Prokuroria tashmë ka nisur hetimet, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se rasti ka ndodhur sot në Pejë, ku një vajzë e mitur dyshohet se është keqpërdorur seksualisht nga një person i moshës madhore.
Sinjali mëson se gjithçka dyshohet të ketë ndodhur pasi i dyshuari e mori të miturën 16-vjeçare dhe e dërgoi në një villë, ku qëndruan bashkë dhe kanë kryer marrëdhënie seksuale.
Posa Policia është vënë në dijeni për rastin, janë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore dhe dy palët janë shoqëruar në stacion policor, ku kanë dhënë deklaratat e tyre.
Gjatë dhënies së dëshmisë para hetuesve policorë, e mitura e ka pranuar se ka pasur raport intim me të dyshuarin, 20-vjeçar.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i dyshuari të dërgohet në mbajtje dhe ndaj tij të nisin hetimet në drejtim të veprës penale “Dhunimi”.