Zbulohet kush është shoferi që u arrestua për aksidentin me fatalitet në Podujevë
Një person ka humbur jetën dhe një tjetër ka mbetur i lënduar rëndë si pasojë e një aksidenti në trafik që ka ndodhur të martën në mbrëmje, në fshatin Llapashticë të Podujevës. Policia tashmë ka arrestuar një person, i cili ndodhet në ndalim policor, raporton Gazeta Sinjali.
Siç mëson Sinjali, shoferi që ra në prangat e Policisë është Mërgim Azemi, 24-vjeçar, i cili po dyshohet se e shkaktoi aksidentin.
I vdekur mbeti njëri nga shoferët, Agim Kodraliu, ndërsa pasagjeri që mori lëndime të rënda trupore është dërguar me urgjencë në spital.
Lajmin për Sinjalin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale në Prishtinë.
“Përveç dëmeve materiale, lëndim vdekje-prurës ka pësuar viktima mashkull kosovar (njëri nga drejtuesit), ndërsa lëndime trupore të rënda ka pasur një pasagjer mashkull kosovar i cili është dërguar në QKUK. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion ndërsa ngasësi tjetër i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.