Lajme

Zbulohet identiteti i personit që u vra me breshëri plumbash te rruga ‘C’

Një breshëri plumbash kallashnikovi kanë lënë të vdekur në vend një person mbrëmë te rruga ‘C’ në Prishtinë. Të dyshuarit për krimin, u larguan menjëherë nga vendi i ngjarjes dhe dogjën veturën e tyre, teksa viktima u gjet i gjakosur në një automjet me targa të Maqedonisë së Veriut, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson se viktima është Blerim Shabani.

Gjithçka dyshohet se ndodhi rreth orës 20:00, kur u dëgjuan të shtëna me armë zjarri. Ndonëse nuk dihet se çka i parapriu këtij krimi, i ndjeri u qëllua disa herë me kallashnikov dhe për pasojë humbi jetën. Policia u njoftuar menjëherë për rastin, por nuk arritën që t’i kapin personat e dyshuar.

Bashkë me Policinë, në vendin e ngjarjes doli edhe ekipi mjekësor, që konfirmoi vdekjen e viktimës, pas ekzaminimeve për shenja vitale.

Në të njëjtën kohë, Policia bëri të ditur se janë duke u zhvilluar hetime për zbulimin dhe kapjen e personave që dyshohet se kanë gisht në këtë rast.

“Sot rreth orës 20:00, është raportuar për gjuajtje me armë zjarri të ndodhur në rrugën “C” në Prishtinë. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para të marra nga mjekët emergjent është konfirmuar se një person është pa shenja jete. Policia po vijon punën me veprime të ekzaminimit të vendngjarjes si dhe me veprime të tjera operativo-hetimore me qëllim identifikimin dhe lokalizimin e të dyshuarve të implikuar në rast.”, njoftoi Policia.

Para se të tërhiqej trupi i viktimës për t’u dërguar në IML për obduksion dhe të sekuestrohej vetura në të cilën u gjet, Policia gjeti veturën e të dyshuarve, dy kilometra larg vendit ku ndodhi vrasja.

Ashtu siç raportoi Sinjali, edhe Policia e konfirmoi se vetura që u dogj dyshohet se ishte shfrytëzuar nga të dyshuarit e përfshirë në rast.

“Veprimet operativo – gjurmuese të ndërmarra nga ana e policisë, më larg vendit të ngjarjes kanë rezultuar me gjetjen e një veture të përfshirë nga flaka që dyshohet të jetë vetura e shfrytëzuar nga të dyshuarit e implikuar në rast.”

Sinjali mëson se në automjetin që të dyshuarit ia vënë flakën për t’i zhdukur gjurmët, zyrtarët policorë kanë gjetur dy kallashnikovë, armë këto të cilat dyshohen se janë përdorur për vrasjen e viktimës.

Ekzaminimet në vendin e ngjarjes janë duke u kryer, në mënyrë që të zbardhen në plotni rrethanat në të cilat ka ndodhur ky krim dhe motivet që i kanë shtyrë të dyshuarit ta ekzekutojnë viktimën.