Zbulohet emri i 46-vjeçarit që e ngacmoi një grua në Prishtinë, Policia e kap në flagrancë në një lokal
Vajzat dhe gratë po vazhdojnë të jenë viktimat më të shpeshta të dhunës në familje, ngacmimeve e sulmeve seksuale. Raste të tilla ndodhin shumë shpesh edhe në hapësira publike e lokale, siç ka ndodhur së fundmi në një lokal në rrugën “Rexhep Luci” në Prishtinë. Denoncimi i një 31-vjeçare që u ngacmua nga një burrë e vuri në lëvizje Policinë, me ç’rast i dyshuari u arrestua, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se personi që u arrestua si i dyshuar për këtë rast është Safet Kanoli, 46-vjeçar.
Rasti ka ndodhur në mesditë, derisa viktima ndodhej në një lokal dhe i dyshuari i kishte shkuar aty, pasi fillimisht e kishte përcjellë, duke i shkaktuar frikë e shqetësim.
Sinjali mëson se i dyshuari edhe më parë e ka ngacmuar 31-vjeçaren, për çka edhe është raportuar në Polici, por siç duket denoncimi nuk ia ka lënë “shenjë” dhe ka vazhduar me veprimet e njëjta.
Si rezultat i raportimit të rastit, Policia ka arritur ta arrestojë të dyshuarin, i cili është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar nga hetuesit për veprën me të cilën ngarkohet.
Pas mbledhjes së informacioneve dhe dëshmive të të dy palëve, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i dyshuari të ndalohet për 48 orë nën dyshimet se ka kryer veprën penale ‘Ngacmim’.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.