Zbulohen hajnat e veturave në Ferizaj e Viti: Arrestohet njëri prej tyre, dy të tjerë shpallen në kërkim
Siguria publike në Kosovë konsiderohet se po cenohet nga krime të natyrave të ndryshme, sidomos nga vjedhjet, fenomen ky mjaft shqetësues. Veturat shumë shpesh janë cak i hajnave, të cilat po vidhen qoftë në parkingje publike apo edhe në oborre e garazhe të shtëpive e banesave. Për plot raste të tilla që kanë ndodhur në Ferizaj e Viti, Policia ka arritur t’i zbulojë tre të dyshuar, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se bëhet fjalë për S.A., (i mitur) dhe S.H., dhe M.E., të cilët po dyshohen për disa rast të vjedhjeve të automjeteve, që nga fillimi i këtij muaji.
Sinjali mëson se vetëm i dyshuari, i moshës së mitur ka rënë në prangat e Policisë, ndërsa dy të dyshuarit e tjerë janë futur në listën e personave të kërkuar dhe tashmë po zhvillohen hetime për të lokalizuar vendndodhjen e tyre.
Sipas informacioneve të para, ata po dyshohen fillimisht për një rast që ka ndodhur më 4 prill, kur kishin vjedhur një automjet të një kompanisë ‘Toni”, rast ky për të cilin Sinjali ka raportuar.
Gjendet e braktisur vetura e vjedhur te ‘Toni Company’, hajnat mbetën në baltë dhe s’mund ta nxirrnin
Ata po dyshohen se të njëjtin automjet e kanë braktisur, e më pas kanë vjedhur një veturë tjetër, me të cilën ishin aksidentuar. Edhe këtë automjet ata po dyshohen se e kanë braktisur dhe më pas kanë ikur nga vendi i ngjarjes.
Për të gjitha këto raste, por edhe të tjera, Policia ka zhvilluar hetime dhe është zbuluar se tre të rinjtë janë të dyshuarit kryesorë.
Si rezultat i identifikimit të tyre, i mituri është shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratën e tij lidhur me veprat me të cilat ngarkohet.
Ndërsa kërkimet për kapjen e të dyshuarve të tjerë kanë nisur, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të vazhdojnë hetimet për zbardhjen e rrethanave në të cilat kanë ndodhur këto raste.
Kujtojmë se personat e dyshuar për vepra të tillë në shumicën e rasteve janë recidivistë, pasi autoritetet jo rrallëherë janë treguar dorëlirë dhe nuk kanë urdhëruar masa sigurie.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.