Xhelozia ‘mollë’ sherri, burri kërcënon ish-gruan pasi nisi një lidhje dashurie
Telashet me partnerët dhe familjet e tyre, nuk marrin fund gjithmonë me ndarje. Shumë gra edhe pas shkurorëzimit kanë probleme me ish-bashkëshortët të cilët jo rrallëherë iu shkaktojnë frikë e shqetësim ish-partnereve. Për pasojë vepra përsëritet e madje në shumë raste ka përfunduar edhe tragjikisht, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur së fundmi në Shtime, ku një burrë po dyshohet se ka kërcënuar ish-gruan e tij dhe motivi lidhet me xhelozi.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se viktima ka kërkuar ndihmë në Polici, ku ka rrëfyer se shkaku i presionit nga ish burri i saj ka të bëjë me lidhjen e dashurisë që ajo tashmë ka krijuar.
Problemet që ia ka shkaktuar i dyshuari ajo i ka raportuar në Polici dhe si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Kanosje’.