Lajme

Vushtrriasi kërcënon bashkëshorten: Ta shti thikën n’kurriz derisa të shkumon për goje

Asnjë ditë nuk kalon pa u raportuar raste të dhimbshme e mjaft të frikshme të dhunës në familjet kosovare. Dhuna psikike e fizike që ushtrohet ndaj grave shpesh ka përfunduar edhe tragjikisht, por jo gjithmonë janë marra masat e duhura preventive.

Ndër shumë rastet që janë raportuar në 24 orët e fundit është edhe një ngjarje që dyshohet të ketë ndodhur në Vushtrri, ku një grua është kërcënuar seriozisht nga bashkëshorti i saj. E keqja që iu kanos asaj, e detyroi të kërkojë ndihmën e familjes së saj dhe të Policisë.

Ku nisi konflikti

Sinjali ka mësuar se mosmarrëveshjet mes çiftit kishin nisur pasi burri i dyshuar kishte vendosur që të shkojë në Arabi për t’i vazhduar studimet. Ky vendim iu shkaktoi shumë konflikte, pasi gruaja i kërkonte që të shkoj bashkë me të, por përveç që nuk e mori, ai i çoi edhe selam, i cili po qe se realizohej do ta pësonte shumë keq.

Zënkat mes tyre eskaluan deri në atë pikë sa gruaja vendosi që të ndahej nga i dyshuari sepse një situatë të tillë nuk mund ta përballonte. Lajmi për divorc e mllefosi shumë të dyshuarin, i cili e kërcënoi bashkëshorten e tij. “Vi ta shti thikën deri n’kurriz, derisa shkumon për goje – çoma çikën n’shpi”, dyshohet se ishin fjalët e të dyshuarit, thonë burimet nga Prokuroria.