Lajme

Vrasje në tentativë në Gjilan: 60-vjeçari ther me thikë një person

Përleshjet fizike në të cilat përfshihen qytetarët janë të shpeshta në vendin tonë. Vazhdimisht raportohen raste në Polici, por edhe nga sinjalizuesit për rrahje të cilat në shumë raste kanë përfunduar tragjikisht për shkak të përdorimit të armëve të zjarrit e mjeteve të mprehta. Kjo është shndërruar në një dukuri shqetësuese duke u rrezikuar kështu siguria publike, raporton Gazeta Sinjali.

Për një rast të tillë që ka ndodhur gjatë ditës së djeshme në Gjilan, Prokuroria ka nisur hetimet.

Sinjali mëson se e gjithë ngjarja ka ndodhur në rrugën ‘Idriz Seferi’, ku për motive ende të panjohura, një 60-vjeçar ka therur me thikë nje 39-vjeçar.

Burimet e Sinjalit brenda Emergjences së Qendrës Klinike Universitare të Kosovës kanë bërë me dije se viktima është dërguar atje në gjendje të rëndë dhe është hospitalizuar për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor në Klinikën e Kirurgjisë.

Ndërkohë lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë intervistuar viktimën.

Pas veprimeve hetimore, është arritur që të arrestohet i dyshuari dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor për intervistim. Para hetuesve ai ka pranuar veprën për të cilën dyshohet, duke deklaruar se ka therur me thikë viktimën.

Pas përfundimit të procedurave policore, ndaj tij kanë nisur hetimet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Vrasje në tentativë’ dhe me urdhër të prokurorit ai është dërguar në mbajtje për 48 orë.