Vrasja e rreshterit në veri, Osmani niset drejt Kosovës
Një rreshter i Policisë së Kosovës ka mbetur i vrarë dhe një polic është plagosur si pasojë e të shtënave me armë nga grupet kriminale në veri të Kosovës.
Rasti ka ndodhur rreth orës 03:00 të mëngjesit, në Banjska të Leposaviqit.
Presidentja Vjosa Osmani u ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimës, duke thënë se autorët nuk do t’i shpëtojnë drejtësisë.
“Vrasja e një polici dhe plagosja e një polici tjetër në veriun e Kosovës, e planifikuar, orkestruar dhe ekzekutuar nga bandat kriminale serbe, është sulm ndaj rendit dhe ligjit në veriun e vendit, është sulm ndaj Kosovës” ka thënë Osmani.
Zyra e Presidentes ka njoftuar se shkaku i situatës së krijuar, Presidentja ka anuluar të gjitha aktivitetet e parapara për të hënën dhe të martën në New York, dhe qysh sot do të niset për në Kosovë.
Ky është njoftimi i plotë:
Vrasja e një polici dhe plagosja e një polici tjetër në veriun e Kosovës, e planifikuar, orkestruar dhe ekzekutuar nga bandat kriminale serbe, është sulm ndaj rendit dhe ligjit në veriun e vendit, është sulm ndaj Kosovës.
Këto sulme dëshmojnë edhe njëherë fuqinë destabilizuese të bandave kriminale, të organizuara nga Serbia, të cilat prej shumë kohësh, siç është dëshmuar edhe me sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, gazetarëve e qytetarëve, po e destabilizojnë Kosovën dhe rajonin.Sulmet e organizuara kundër forcave të rendit të Republikës së Kosovës janë sulme kundër sovranitetit të Republikës së Kosovës.
Përveç dënimit të ashpër të këtij agresioni të hapur të Serbisë ndaj Kosovës, pres që aleatët tanë ta mbështesin Kosovën në përpjekjen e saj për vendosjen e rendit dhe ligjit si dhe ruajtjen e sovranitetit në çdo pjesë të Republikës së Kosovës. Familjes së policit të vrarë ju shprehim ngushëllime të thella dhe i sigurojmë se autorët e këtyre akteve terroriste nuk do të mund t’i ikin drejtësisë.
Ftoj të gjithë qytetarët, institucionet dhe subjektet politike që të qëndrojnë të bashkuar në këtë kohë kur po sfidohet hapur integriteti territorial, siguria dhe sovraniteti i Republikës sonë.Si Presidente e Republikës kam besimin e plotë në djemtë dhe vajzat tona nga Policia e Kosovës.