Vrasja e Liridona Murselit, prindërit e Naim Murselit kthehen në Suedi pas anulimit të së pames
Detajet e para të natës tragjike të 29 nëntorit ku mbeti e vrarë 30-vjeçarja, Liridona Ademaj Murseli morën kthesë ditën e djeshme kur Policia e Kosovës arrestoi burrin e saj Naim Murselin, Granit Plavën e Kushtrim Kollakën si të dyshuar për vrasjen e saj në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë, raporton Gazeta Sinjali.
Pak orë para se të arrestohej, Naim Murseli mori pjesë në ceremoninë e varrimit të Liridonës, ceremoni kjo që u krye në fshatin e tij. Ndërsa, vetëm pak orë pas arrestimit të të njëjtit, familjarët e tij raportuan se kanë anuluar të pamen.
“SHOKE DHE MIQE PÈR SHKAQE FAMILJARE ME KEQ ARDHJE E BEJM ANULIMIN E TE PAMES I FALENDEROJE GJITHE PJESNARRJE NE VORRIM” , shkroi mbrëmë prindi i Naim Murselit në rrjetet sociale.
Gazeta Sinjali ka mësuar se me tu anuluar e pamja, prindërit e Naim Murselit kanë vendosur të kthehen në Suedi.
Ndër tjera, Gazeta Sinjali mësoi ekskluzivisht se familja Ademaj, familjes Murseli i ka dhënë dy ditë besë.
Prokuroria Themelore në Prishtinë gjatë ditës së djeshme tha se është sekuestruar edhe arma me të cilën dyshohet se është kryer vepra, duke shtuar se të dyshuarit janë duke u intervistuar në stacionin policor, derisa ndaj të njëjtëve do të ndërmerr veprimet e mëtejme ligjore.