Vrasja e gruas shtatzënë te QKUK-ja, Sokol Halili ende në arrati
Ishte shtrirë në Klinikën e Gjinekologjisë pasi që vetëm edhe pak ditë i kishin mbetur deri në sjelljen në jetë të fëmijës së saj të parë. Hamide Magashi nga fshati Llugaxhi i Lipjanit, nuk i diti lezet e as gëzim shtatzënisë. Gjatë nëntë muajve ajo ishte maltretuar psiqikisht e fizikisht nga bashkëshorti i saj, Sokol Halili, me të cilin kishte vendosur që të ndahej. E udhëtimi për në spital, doli të jetë i fundit për 35-vjeçaren. Ish-bashkëshorti i saj dyshohet se e vrau atë në mënyrë mizore para dyerve të Gjinekologjisë, një ditë para se të lindte foshnjën e saj, raporton Gazeta Sinjali.
As gati 40 orë pas krimit monstruoz, Sokol Halili ende s’ka rënë në prangat e Policisë. Operacioni për kapjen e tij ka nisur menjëherë pas momentit tragjik, kur edhe është identifikuar dorasi nga hetuesit policorë, mirëpo edhe përkundër kërkimeve ende nuk është lokalizuar vendndodhja e tij.
Halili që po e shijon lirinë nga arratia ka ikur nga vendi i ngjarjes me veturën e tij, të cilën Policia e gjeti sot në në sheshin “Ahmet Shtimja” në Shtime.
Ndërkohë Sinjali mëson se gjatë ditës së djeshme Policia në koordinim me Prokurorinë ka kryer bastisje në katër lokacione në qytetin e Vushtrrisë, për shkak se telefoni i Halilit ka rezultuar me qasje pikërisht në këtë qytet, shkruan Sinjali.
Në anën tjetër, Policia ka shpallur në kërkim 31-vjeçarin dhe madje ka kërkuar edhe ndihmën e qytetarëve të cilët mund të kenë informacione për vendndodhjen e tij.
Hamide Magashi e cila ishte në javën e 41-të të shtatzënisë dhe po priste të sillte në jetë një djalë, u ekzekutua me armë zjarri nga ish bashkëshorti i saj, Sokol Halili, 31-vjeçar, i cili me të kryer veprën është larguar në drejtim të panjohur me veturën e tij, e cila tashmë është gjetur nga Policia.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.