Lajme

Vodhi mjete pune dhe kabllo në vlerë të rreth 1 mijë euro, kapet mat duke i shitur për 300 euro në treg

Vjedhjet e shumta nëpër shtëpi, biznese e lokale të ndryshme përveç pasigurisë, po shkaktojnë edhe humbje të mëdha. Por jo gjithmonë hajnat kapen, pasi arrijnë t’iu ikin prangave të Policisë, duke qëndruar në arrati. Një rast i tillë i vjedhjes së rëndë ka ndodhur së fundmi në fshatin Svircë të Kamenicës, raporton Gazeta Sinjali.

Këtë herë, një qytetar ka raportuar se dikush ka kryer vjedhje në pronën e tij, ku janë avulluar mjete të ndryshme pune, si dhe kabllo elektrike, që në total kapin vlerën e rreth 1 mijë eurove.

Sinjali mëson se pas denoncimit të rastit, Policia ka arritur ta identifikojë të dyshuarin, të cilin më pas e kanë kapur në flagrancë në Prishtinë, duke i shitur mjetet që ka vjedhur për rreth 300 euro.

Sipas informacioneve të para, i dyshuari është shtetas i Shqipërisë dhe i njëjti është emër i njohur për Policinë, për shkak të të kaluarës së tij, të pasur me vepra të ndryshme penale.

Pasi i njëjti është kapur, Policia e ka shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar dhe ndaj tij kanë nisur hetimet nën dyshimin për kryerjen e veprës penale ‘Vjedhje’.

Me t’u përfunduar procedurat policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit për 48 orë.