Kryesore

Vjen reagimi i parë i QUINT-it dhe BE-së pas vendimit për shtyrjen e zgjedhjeve në veri

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ka reaguar pas vendimit për shtyrjen e zgjedhjeve në veriun e vendit.

Ai ka folur në emër të shteteve të QUINT-it dhe Bashkimit Evropian, duke e vlerësuar vendimin si konstruktiv.

“Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara dhe Zyra e BE-së mirëpresin vendimin e qeverisë së Kosovës dhe liderëve të partive politike për shtyrjen e zgjedhjeve komunale dhe për kryetar komunash në katër komunat veriore në këtë kohë”, ka shkruar Szunyog.

“Ky vendim konstruktiv avancon përpjekjet për të promovuar një situatë më të sigurt në veri, e cila është kyçe për Dialogun e lehtësuar nga BE-ja, si e vetmja rrugë përpara për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar shefi i BE-së në Kosovë.

Presidentja Vjosa Osmani pas takimit me partitë politike, bëri të ditur se zgjedhjet në veri do të shtyhen për muajin prill, teksa data e saktë do bëhet e ditur sonte ose nesër.

Osmani tha se të gjithë përfaqësuesit e partive politike kanë treguar përgjegjshmëri të lartë në raport me atë që ajo e quan si më e shenjta, jetën e qytetarëve.

Pas dorëheqjes së kryetarëve të Komunave veriore, zgjedhjet ishin paraparë të mbaheshin më 18 dhjetor. Pos kryetarëve të Komunave, dorëheqje nga institucionet e Republikës së Kosovës kanë dhënë të gjithë serbët, pasi Qeveria vendosi t’i ndëshkojë shoferët që lëvizin me targa ilegale të lëshuara nga Serbia.

Shtyrjen e zgjedhjeve e kanë kërkuar edhe partnerët ndërkombëtarë, pas incidenteve të vazhdueshme që këtë javë ndodhën në veri të vendit, ku ndër të tjera mbeti i plagosur edhe një pjesëtar i Policisë së Kosovës.