Vjehrri dhe dhëndri rrihen mes vete në Gjakovë, më së keqi e pëson vajza që tentoi t’i ndajë
Konfliktet në mes të familjarëve të gruas dhe dhëndurëve, janë shumë të shpeshta në mesin tonë. Prindërit e anëtarët tjerë të familjes, në shumë raste eskalojnë në debate e zënka me dhëndrit, duke u përfshirë shumë herë edhe në përleshje fizike, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur dje në një familje në Gjakovë, ku një person dyshohet se është përleshur me dhëndrin e tij, saktësisht, bashkëshortin e vajzës.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se mes palëve është përfshirë edhe bashkëshortja dhe vajza e të dyshuarve, e cila e ka pësuar më së keqi.
Në momentet që ajo ka hyrë në mesin e të dyshuarve për t’i ndarë ata, bashkëshorti e ka sulmuar fizikisht duke e goditur me shuplakë e duke e kapur për fyti.
Si pasojë e kësaj, ajo ka marrë lëndime të dukshme trupore dhe ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital.
Ndërkohë dy të dyshuarit janë arrestuar dhe janë shoqëruar në stacion policor, ku kanë dhënë dëshmitë e tyre lidhur me rastin.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që 49-vjeçari të dërgohet në mbajtje si i dyshuar për ‘Dhunë në familje’, ndërsa i moshuari do të hetohet në liri për veprën penale ‘Lëndim i lehtë trupor’.