Lajme

Vjedhje e rëndë në xhaminë e një fshati në Vushtrri, dikush merr paratë e ndihmave dhe ikë

Jo rrallëherë xhamitë nëpër qytete të ndryshme në Kosovë janë cak i hajnave. Shpeshherë arkat e ndihmave e kasafortat e mbushura me të holla bien në duart e keqbërësve. Një rast i tillë ka ndodhur sot në xhaminë e fshatit Samadrexhë të Vushtrrisë, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson se një person, akoma i paidentifikuar ka hyrë brenda objektit fetar dhe ka vjedhur një shumë të konsiderueshme të parave të grumbulluara për ndihma e më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.

Rasti është raportuar nga imami i xhamisë, i cili ka dhënë deklaratë para hetuesve policorë në lidhje me vjedhjen, ndërkohë që janë siguruar edhe pamje nga kamerat e sigurisë që do të ndihmojnë në zbulimin e të dyshuarit.

Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet e nevojshme, teksa me urdhër të Prokurorit të Shtetit rasti është iniciuar ‘Vjedhje e rëndë’.