Vjedhje e rëndë: Hajnat futen me forcë në oborrin e një shtëpie, marrin pajisje pune dhe një veturë
Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri, sidomos kur shtëpitë mbesin pa përkujdesje.
Kështu ka ndodhur edhe mbrëmë në një shtëpi në Dubravë të Istogut, ku disa persona kanë arritur të kryejnë vjedhje, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije për Sinjalin se vjedhja ka ndodhur gjatë natës dhe është denoncuar nga pronari i shtëpisë, i cili ka raportuar se dikush ka vjedhur disa pajisje pune nga garazhi dhe një veturë.
Sinjali mëson se bazuar në dëshminë e tij, të dhënë para hetuesve, të dyshuarit kanë depërtuar brenda me forcë, duke thyer derën.
Si rezultat i denoncimit të rastit, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave dhe në identifikimin e personave të dyshuar.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar ‘Vjedhje e rëndë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit.