Lajme

Vjedhja grabitqare në Viva Fresh, kapet hajni që ‘avulloi’ produktet ushqimore dhe sulmoi sigurimin

Marketet në vendin tonë kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë cak i vjedhjeve dhe grabitjeve, ku hajnat arrijnë të kapin para apo gjësende ushqimore.

Ndër rastet më të shpeshta kanë ndodhur në pikat e rrjetit të Viva Fresh në shumicën e qyteteve. Përveç humbjeve, plaçkitjet po shkaktojnë pasiguri si për punëtorët ashtu edhe për klientët, raporton Gazeta Sinjali.

Një ndër këto raste ka ndodhur edhe në muajin janar, në pikën e Viva Fresh Store në rrugën “Ukshin Hoti” në Prishtinë, ku një person kishte arritur të kryente vjedhje grabitqare dhe të shpëtonte nga prangat e Policisë, deri dje kur u kap.

Gazeta Sinjali ka raportuar për këtë rast që u përcoll me sulm nga i dyshuari, i cili u konfrontua me sigurimin e lokalit, të cilin edhe e kërcënoi dhe më pas iku.

Por pas gati dy muajsh në arrati, Policia ka arritur ta identifikojë të dyshuarin dhe i njëjti është arrestuar gjatë ditës së djeshme. Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se bëhet fjalë për A.F., nga Mitrovica, i cili është shoqëruar të hënën në stacion, ku ka dhënë deklaratën e tij për rastin.

Ndaj tij, pas përfundimit të procedurave policore, është nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh dhe inicimin e rastit për veprën “Vjedhje grabitqare”.