Viktima e vrarë nga babai në Prizren është 15-vjeçare – u ther me thikë, motra 11-vjeçare e plagosur
Një ngjarje tronditëse familjare ka ndodhur sot në mëngjes në qytetin e Prizrenit, ku një shtetas turk ka vrarë vajzën e tij 15-vjeçare me thikë, dhe ka plagosur rëndë edhe vajzën tjetër, 11 vjeçe.
Burime ekskluzive të Gazetës Sinjali konfirmojnë se tragjedia ka ndodhur sot, më 06.05.2025, rreth orës 05:50, në afërsi të autolarjes “Syle Buleci” në rrugën “Shote Galica”, ku ndodhen disa banesa kolektive.
Fillimisht, një ekip i urgjencës kishte pranuar një thirrje për një person të lënduar, por pasi kishin arritur në vendin e ngjarjes, kishin hasur një burrë me thikë në dorë, çka i kishte detyruar të kërkonin ndihmën e menjëhershme të Policisë.
Patrullat kanë reaguar me shpejtësi dhe kanë arrestuar në vend të dyshuarin Mehmet Görenç, shtetas turk, i cili dyshohet se me mjet të mprehtë (thikë) ka sulmuar dy vajzat e tij të mitura.
Sipas ekipit të emergjencës, vajza 15-vjeçare ka ndërruar jetë në vend, ndërsa vajza tjetër 11-vjeçare është transportuar me urgjencë në spital, ku po trajtohet për plagë të rënda.
I dyshuari është arrestuar dhe ndodhet nën mbikëqyrje policore në spital, pasi edhe ai kishte pësuar lëndime, që dyshohet se i ka shkaktuar vetes pas kryerjes së aktit.