Lajme

Video nga aksidenti në Kamenicë ku mbet i vdekur një person dhe tre të tjerë u lënduan

Një person ka vdekur dhe tre të tjerë janë lënduar në një aksident trafiku që ka ndodhur sot, në fshatin Hodonovc të Kamenicës.

Kështu ka konfirmuar për Gazetën Insajderi, Valon Osmani nga Policia e Rajonit të Gjilanit.

“Drejtoria Rajonale e Policisë Gjilan, Stacioni Policor Kamenicë me datën 24.02.2023, rreth orës 10:43 ka pranuar informacion se në fshatin Hodonovc, Komuna e Kamenicës ka ndodhur një aksident trafiku në mes të dy automjeteve me tabela vendore. Hetuesit policorë kanë dalë në vendin e ngjarjes së bashku me ekipin mjekësor dhe njësitin e zjarrfikësve. Si pasojë e këtij aksidenti një person mashkull kosovar rreth moshës 33 vjeçar nuk ka arritur që të u mbijetoj lëndimeve dhe ka ndërruar jetë, vdekjen e të cilit e ka konfirmuar mjeku kujdestar në vendin e ngjarjes”, ka thënë Osmani për Insajderin.

Në mesin e të lënduarve është edhe një foshnje rreth një vjeç. Kështu ka bërë të ditur për Gazetën Insajderi, drejtori i Spitalit Rajonal të Gjilanit, Arsim Emini.

https://fb.watch/iUu-_gOCDl/

Ai i tha Gazetës se gjendja e foshnjës është e rëndë dhe e intubuar është dërguar për në QKUK.

“Po, në mesin e të lënduarve është edhe një foshnje rreth një vjeç, gjendja e së cilës është e rëndë. E kemi intubuar dhe e kemi nisur për në QKUK për shkak të gjendjes së rëndë dhe trajtimit më të sigurt atje. Ajo është nisur për në QKUK së bashku me nënë e saj”, tha Emini për Insajderin.