Vëllai i Haxhi Shalës: Flitet se mund të ekstradohet në Hagë
Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë e ka zhvilluar një operacion në fshatin Banjë të Malishevës, ku e kanë arrestuar ish-deputetin Haxhi Shala, i njohur me nofkën e luftës si komandant “TOPI”.
Lidhur me rastin për Klan Kosovën ka folur vëllai i tij, Avni Shala.
Ai tha se ka mundësi që komandant “Topi” do të ekstradohet në Hagë.
“Arsyet e arrestimit po thonë që janë për pengim të drejtësisë. Ka pasur forca të shumta të EULEX-it, ka zgjatur rreth 30 minuta. Nuk kanë konfiskuar ndonjë gjë. Këto arrestime janë të paligjshme. Kjo gjykatë është e padrejtë. Shkojnë dhe i marrin njerëzit veç pse kanë dhënë kontribut për vendin”, tha ai për Klan Kosovën.
“Arrestimi ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit. Ne s’kemi ditur asgjë. Unë kam shkuar në punë, familja më ka informuar më vonë, më thanë që kanë ardhur dhe e kanë marrë policia. Ai ka ardhur nga Prishtina ka pasur ta dërgojë babain në operacion në Prizren”, theksoi Shala.
Avni Shala, tha se vëllai i tij nuk i ikë drejtësisë.
Ai tha se ka qenë i intervistuar edhe më herët nga Specialja.
“Haxhiu është intervistuar, i është konfiskuar telefoni. I është përgjigur ftesës. Nuk i ikë drejtësisë s’ka pse me i ikë”, shtoi ai.
Kryetari i OVL-UÇK’së në Malishevë, Metush Kryeziu, në një përgjigje për Insajderin, tha se ka informacione që Specialja ka kryer bastisje në shtëpinë e ish deputetit Haxhi Shala në Banjë të Malishevës.
Më tutje ai tha se ka informacione që Shala është marrë në intervistim.
“Kemi informacione që është bastisur shtëpia e tij dhe është marrë në intervistim. Tjetër nuk di”, tha Kryeziu.