Kryesore

Vdiq gjatë tërmetit mbrëmë në Shqipëri, flasin familjarët e 18-vjeçarit: Ishte me autizëm, e kapi paniku

Një 18 vjeçar ka humbur jetën mbrëmë në rrethana tragjike pas lëkundjeve të tërmetit në fshatin Çinarë të Lushnjës së Shqipërisë.

Në komunikatën zyrtare të policisë thuhet se i riu ka ndërruar jetë për shkaqe natyrale, ndërsa familjarët tregojnë se djali me autizëm ka humbur jetën në momente paniku teka nëna e tij kishte shkuar ta merrte për të dalë jashtë.

“Nipi ka qenë i sëmurë. Mesa mora vesh unë është trembur, është çuar dhe ka rënë dhe ka vdekur. Nuk e di se si ka rënë. Unë tani erdha në spital sepse isha te shtëpia dhe më thanë që e ka marrë ambulanca dhe e ka prurë. Ka qenë i vdekur kur e kanë sjellë në spital. Ai ishte i sëmurë, ka qenë i shtruar”, tha një i afërmi i viktimës.

Grupi hetimor po punon për dokumentimin ligjor të shkakut të humbjes së jetës ndërsa priten rezultatet e autopsisë.