Lajme

Vdes një foshnjë në QKUK, babai ankohet në Polici – flasin për Sinjalin nga Gjinekologjia

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur dje në Klinikën e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku një grua ka lindur foshnjën e vdekur, raporton Gazeta Sinjali.

Babai i foshnjës ka denoncuar rastin në Polici, ku është ankuar për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor.

“Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se, pasi e ka dërguar bashkëshorten për lindje në repartin e gjinekologjisë, e ka kuptuar se foshnja ka vdekur. Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke hetuar rastin”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Gazeta Sinjali ka kontaktuar me drejtorin e Klinikës, Zef Ndrejaj, për të marrë më shumë informacione lidhur me rastin dhe i njëjti tha se vdekja e foshnjës ka ndodhur brenda në mitër.

Sipas tij, mund të jetë si shkak i ndonjë anomalie apo arsye tjetër.

“Vdekja e frytit ka ndodhë brenda në mitër. Ka shkaqe të shumta, mundet ndonjë anomali e frytit apo ndonjë arsye tjetër. Rasti është duke u shqyrtar”, tha Ndrejaj për Sinjalin.

Ndryshe, me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa rasti është cilësuar ‘Trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor’.