Vdekjen e 47-vjeçarit në Pejë e njoftoi ish-gruaja e tij police që ishte torturuar nga i dashuri, rreshteri Hamzic
Sot u raportua për një ngjarje të rëndë që ka ndodhur mbrëmë në mesnatë në një shtëpi rrugën “Shtjefën Gjeçovi” në Pejë, ku 47-vjeçari, Blerim Bajraktari u gjet pa shenja jete dhe ende nuk dihen rrethanat në të cilat ka vdekur. Trupi i pajetë i të ndjerit është dërguar në IML për obduksion, teksa rasti fillimisht ishte raportuar nga ish-gruaja e tij. Bëhet fjalë për Filloreta Kastratin, e cila është zyrtare policore, emri i të cilës u bë i njohur muaj më parë.
Vdekjen e Blerim Bajraktarit e ka konfirmuar ekipi i mjekëve që ka dalë në vendin e ngjarjes, që konstatoi se i ndjeri s’ka shenja jete, por është gjetur me njolla gjaku në disa pjesë të fytyrës. Ishte Filloreta, ajo që e ka njoftuar Policinë dhe Emergjencën. Ajo dhe Blerimi kanë qenë të martuar dhe kanë disa fëmijë.
Por kush është Filloreta Kastrati?
Filloreta ishte zyrtarja policore, e cila e kishte denoncuar për dhunë ish të dashurin e saj, rreshterin e policisë në Pejë, Senad Hamziç me të cilin për një kohë kanë qenë në lidhje.
Senad Hamzic me gradën e rreshterit policor në Drejtorinë Rajonale në Pejë ishte ndaluar atë kohë për 48 orë, pasi dyshohej se e kishte sulmuar pamëshirshëm Filloretën, me të cilën ishte në lidhje dashurie, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore, për shkak të motiveve të xhelozisë.
Rasti ishte zbuluar pasi zyrtarja policore kishte kërkuar trajtim mjekësor në Emergjencën e Spitalit Rajonal të Pejës, si rezultat i rrahjes brutale, pasi kishte pësuar lëndime të rënda në pjesët e trupit.
Gjithçka dyshohet se nisi në veturën e rreshterit policor Hamzic, ku i njëjti dyshohet se torturoi të dashurën zyrtare policore për motive të xhelozisë. Rrahjen brutale rreshteri e kishte vazhduar edhe jashtë veturës, duke u ‘siguruar’ që të mos lë gjurmë. Ata vazhduan për në një pompë të derivateve, ku zyrtarja policore kishte ndërruar rrobat, të cilat i kishte të gjakosura.
Dhuna ndaj saj, Hamzicit i kushtoi me aktakuzë, ku Prokuroria e akuzonte për lëndim të rëndë trupor.