Vdekja e punëtorit të kompanisë ‘Euroing’: Shoqërohen në Polici kryepunëtori dhe kolegu i tij
Vdekja e punëtorit të kompanisë për ndërtim ‘Euroing” në Rahovec, Kujtim Ibriqit ka aktivizuar Policinë dhe Prokurorinë për ndërmarrjen e veprimeve hetimore që çojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.
45-vjeçari, i cili është nga Komorani vdiq derisa ishte duke punuar në një fshat të Kamenicës, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije për Sinjalin se dy persona tashmë kanë përfunduar në Polici, ku kanë dhënë deklaratat e tyre lidhur me rastin që ndodhi në sallën e sporteve në fshatin Koretin të Kamenicës.
Sinjali mëson se bëhet fjalë për kryepunëtorin e ekipit që kryente punimet në këtë sallë, si dhe një punëtor tjetër, të cilët kanë dhënë dëshmi, pasi ishin dëshmitar të këtij rasti të rëndë që ndodhi pasditen e djeshme.
Ndaj tyre, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të zhvillohen hetimet, ndërsa rasti është iniciuar si “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse’ dhe ‘Rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.
I ndjeri, Kujtim Ibriqi, sipas informacioneve të para është rrëzuar nga skelet e ndërtimit dhe ka marrë lëndime të rënda. Ndonëse ai u dërgua me shpejtësi në Emergjencën e Kamenicës e më pas edhe në Gjilan, 45-vjeçari s’arriti t’i përballojë plagët e marra.
Ndërkohë edhe familjarët e të ndjerit kanë dhënë njoftimin mortor, ku bëhet e ditur se varrimi do të bëhet sot në orën 15:00 në varrezat e Komoranit.