“Vajzën do ta dhunoj e djalin do ta vras”/ Ky është personi që kërcënoi policin në veri, kapet nga Policia
Pas rreth një muaji në arrati, Policia ka arritur ta arrestojë personin që dyshohet se kërcënoi një zyrtar policor në Mitrovicë të Veriut. I njëjti ka qenë në kërkim policor, deri më dje kur ra në prangat e Policisë dhe tashmë ndodhet në ndalim, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjalizuesi nga Veriu ka bërë me dije se personi që u arrestua është Marko Apostolovic, i cili po dyshohet se më 18 shtator e ka kanosur seriozisht një polic (emër i njohur për redaksinë) për motive akoma të panjohura.
Sipas informacioneve që ka Sinjali, i dyshuari e ka kërcënuar policin, duke i thënë se “Do të kesh probleme me mua, se vajzën do ta dhunoj e djalin do ta vras.”
Përballë kësaj situate, viktima e ka denoncuar rastin dhe pas ndërmarrjes së veprimeve të nevojshme hetimore, Policia e ka prangosur të dyshuarin.
I njëjti është shoqëruar në stacion policor dhe pas intervistimit është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Rastin e kanë konfirmuar edhe nga Policia Rajonale në Mitrovicë të Veriut.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.