Lajme

Ushtria serbe afër kufirit të Kosovës, reagon ish-ministri gjerman: Ku dreqin është BE-ja

Ish-ministri gjerman për Evropën dhe deputeti i Bundestagut, Michael Roth, ka reaguar pasi SHBA-ja dje deklaroi shtimin e ushtrisë serbe në afërsi të kufirit me Kosovën.

Roth duke e etiketuar Vuçiqin i ka thënë presidentit serb se “pyes nëse ky është kontributi juaj për de-eskalim, paqe dhe pajtim”.

“Ku dreqin është Bashkimi Evropian”, ka shkruar tutje ish-ministri gjerman.

“I nderuar zoti President Vuçiq.Pyes veten nëse ky është kontributi juaj për deskalimin, paqen dhe pajtimin? Ku – dreqin – është BE”, ka shkruar Roth.

Ndryshe, ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, tha të shtunën se një apo disa struktura qëndrojnë pas sulmit të armatosur ndaj Policisë së Kosovës javën e kaluar në veri të vendit, gjatë të cilit u vra një zyrtar policor.

I pyetur nga BBC nëse Serbia qëndron pas sulmit, Hovenier tha se sasia dhe cilësia e armëve të gjetura në Banjskë të Zveçanit tregon se “sulmuesit serbë etnikë nuk i siguruan ato vetë”.

“Tani, po ashtu, ne e dimë se një individ i cili ishte nënkryetar i njërës nga partitë serbe në Kosovë, për të cilin dihet se ka marrë pjesë në ngjarje me zyrtarë të lartë serbë, njoftoi përmes avokatit të vet se ai ishte organizator i kësaj ngjarjeje dhe se ai ishte i pranishëm”, tha Hovenier duke iu referuar Millan Radoiçiqit, nënkryetarit të deritanishëm të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.