‘Unë po iki Kosovë’, infermierja e zhgënjyer lë vendin pas ‘dallavereve’ që ju bënë në konkurs për punësim
Infermierja e diplomuar kosovare, Liri Salihu, kishte konkurruar për një konkurs për infermiere në Spitalin e Gjilanit, mirëpo e njëjta ishte radhitur e teta, duke mos u pranuar.
Rreth kësaj Salihu ka reaguar përmes një postimi në Facebook, duke thënë se nuk qenka e mjaftueshme shkollimi për të cilën ajo kishte kaluar disa vite, duke arritur që me suksese të përfundoj edhe nivelin master në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” në drejtimin e Infermieri.
Duke e shprehur mllefin e saj rreth kësaj, ajo ka thënë se gjatë intervistës së saj në konkurs, kryesues ishte një person i nivelit Bachelor Ekonomik, dhe sipas saj të cilën e ka kryer në Kolegjin Privat.
Postimi i plotë:
Unë po iki Kosovë , nuk po të duhem ty!
Nuk qenka mjaftueshëm niveli im i shkollimit, puna dhe djersa ime për ty Kosovë.
Nuk qenka mjaftueshëm nota ime (5.0) në shkollën e mesme të mjekësisë.
Nuk qenka mjaftueshëm diplomimi im Bachelor në Universtitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina ” me notë mesatare (9.34).
Nuk qenka mjaftueshëm studimet në nivelin Master poashtu në Universitetin e Prishtinës me notë mesatare (9.54).
Nuk qenka mjaftueshëm se gjatë gjithë studimeve kam qenë bursiste si studente e dalluar.
Nuk qenka mjaftueshëm njohja e gjuhëve të huaja deri në nivel B1.
Nuk qenka e mjaftueshëm edhe pervoja ime si infermiere me doktorët më të mirë në rajon dhe më gjerë.
Kosovë , nuk paska qenë i mjaftueshëm vlerësimi i profesorëve në Universitetin e Prishtinës e per ironi në konkurse sikur këto në Spitalin e Gjilanit une përpara duhet ta kem një kryesuese të komisionit me nivel Bachelor Ekonomik në Kolegj privat e cila shumë mirë “ka ditur të bëjë kalkulimet” gjatë “vlerësimit” në intervistë!.
Kosovë , une kurrë nuk do të bëhem pjesë e pazareve dhe vegël e askujt për një vend pune por padrejtësinë do ta luftoj dhe kundërshtojë.
Kosovë , unë pata edhe një shpresë për të qëndruar në vendlindjen time , të jap kontributin dhe dijen time që kam marrë nga instucionet arsimore tua.
Por këtë mundësi që nuk e pata unë shpresoj që në të ardhmen do ta kenë familja, kolegët e mi dhe e gjithë shoqëria e këtij vendi.
Kosovë, unë po nënshkruaj për të lën ty sepse ma shuajtën edhe shpresën e fundit.
Kosovë, mua po më pret Europa por unë të prita ty!