Lajme

U shpallën në kërkim nga policia, kjo është dosja e “trashë” kriminale e të dyshuarve për fushën e kanabisit në Klinë

Në media u raportua të shtunën për një operacion të Policisë së Kosovës në fshatin Perqevë të Klinës, ku është zbuluar një zonë me 965 bimë kanabisi.

Insajderi raportoi ekskluzivisht se dje u arrestua Silver Qebini nga Tepelena. Policia e Kosovës gjatë së dielës i shpalli në kërkim pesë persona: Gzim Gashin, Faik Gashin, Selim Gashin, Marglen Çomanin dhe Albion Kalemin.

Siç u tha në njoftimin e PK’së, ata dyshohet të kenë kryer veprën penale “Kultivim i bimës se hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit”.

“Personat e dyshuar me autorizim të organeve të drejtësisë shpallen në KËRKIM nga Policia e Kosovës nën dyshimin e bazuar se të njëjtit duke bashkëpunuar dhe bashkëvepruar kanë kryer veprën penale “Kultivim i bimës se hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit” vepër kjo e sanksionuar sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, u tha në njoftimin e PK’së.

Këtë operacion po e udhëheq prokurori Ersan Qavolli.

Cila është e kaluara kriminale e tre Gashëve?

Insajderi merr vesh nga burime të saja se Gzim Gashi është recidivist dhe ka dosje të trashë kriminale. Atij iu janë regjistruar 61 incidente, ku në shumicën e tyre ka qenë i përfshirë si i dyshuar.

Ai ka shënuar incidentet e para penale që nga 2004-a e deri në fund të 2023-ës. Gashi dyshohet për posedim ilegal të armëve, ngacmim, sulm, prerje ilegale e drunjve, lëndim trupor, falsim dokumentesh, prishje e rendit dhe qetësisë, vjedhje, mashtrim, kanosje, sulm ndaj personit zyrtar, grabitje, e shumë e shumë vepra penale.

Ndaj tij janë realizuar 12 urdhër-arreste, ku ndër të tjera është arrestuar edhe për furnizim, transportim dhe prodhim ilegal të armëve.

Në anën tjetër, i dyshuari tjetër Faik Gashi ka regjistruar gjithsej dy incidente: Njërën për falsifikim të dokumentit zyrtar dhe tjetër për falsifikim dokumentesh.


Ndërkaq, Selim Gashi është hetuar si i dyshuar për nëntë vepra penale në pesë vitet e fundit: shmangie nga tatimi, kanosje, vjedhje, lëndim i rëndë trupor, lëndim i lehtë trupor, sulmi dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve. Ai është edhe përsëritës i disa veprave penale, sikurse është kanosja dhe lëndimi trupor.

Atij iu kishte sekuestruar këtë vit një pistoletë.