KryesoreLajme

U ngufat duke u ushqyer, vdes 21 vjeçarja në shtëpinë e fëmijëve me aftësi të kufizuara në Shtime

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të hënën në mbrëmje, në shtëpinë e fëmijëve me aftësi të kufizuara në Shtime, ku një paciente 21-vjeçare ka humbur jetën.

Vdekjen e vajzës e ka konfirmuar ekipi mjekësor, teksa janë ngritur dyshimet e para për shkaktarin e këtij rasti të rëndë.

Burimet brenda Emergjencës në Spitalin e Ferizajt kanë bërë me dije për Sinjalin se posa vajza është dërguar në këtë qendër, pas ekzaminimeve për shenja vitale, është konstatuar se viktima është pa shenja jete.

Sipas informacioneve të para, dyshohet se pacientja është ngufatur gjatë ushqyerjes, duke iu përkeqësuar kështu gjendja shëndetësore, për çka u dërgua me urgjencë në spital, por nuk arriti të mbijetojë.

Lidhur me rastin, Policia ka dalë në vendin e ngjarjes, ku janë mbledhur informacionet e para mbi atë që ka ndodhur dhe janë kryer ekzaminimet e nevojshme në shtëpinë ku dyshohet se vdiq pacientja.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit si “hetim i Vdekjes” dhe ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore për zbardhjen e rrethanave të vdekjes së 21-vjeçares.