Lajme

U kapën për përgatitjen e ushqimit, ky është 24-vjeçari që theri me thikë kunatën e tij në Vushtrri

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur dy net më parë në fshatin Druarë të Vushtrrisë, ku pas një konflikti familjar ku janë përfshirë një 24-vjeçar dhe bashkëshortja e vëllait të tij, kjo e fundit ka mbetur e plagosur pas goditjes me thikë, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë bëjnë me dije se i dyshuari është Visar Bojku.

E gjithë ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në shtëpinë e palëve të përfshira, ku pas një konflikti verbal për përgatitjen e ushqimit, Bojku dyshohet se ka eskaluar në sulm fizik, duke e goditur 34-vjeçaren me thikë.

Viktima ka marrë lëndime trupore dhe është dërguar në spital, ku ka marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.

Ndërkohë i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që i riu të dërgohet në mbajtje nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Lëndim i lehtë trupor’.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.