U kapën me dy revole e kallash, ‘trajnuan’ fëmijët si të gjuajnë me armë – Prokuroria në Prizren i lë të lirë të dyshuarit
Kosovarët si meraklinj të armëve, i përdorin ato edhe në ditë festash. Data e 31 dhjetorit është dita kur krisma armësh e mjetesh piroteknike ndihen gjithandej. Kremtimi i festës me armë është një dukuri shqetësuese në vendin tonë, për shkak se shpesh herë shumë qytetarë kanë pësuar nga plumbat qorr të cilët shkrepen për të shënjuar mbarimin e një viti të vjetër dhe fillimin e një viti të ri. Në natën e ndërrimit të motmoteve sivjet, u shënuan dhjetëra raste të gjuajtjeve me armë zjarri e për të cilat shumë qytetarë përfunduan në stacion policor, raporton Gazeta Sinjali.
Kështu zgjodhën të festojnë edhe anëtarët e familjes Gashi dhe Shala në fshatin Hoçe e Qytetit në Prizren. Agnesa Gashi, Ylki Gashi, Xhelbrim Gashi dhe Alban Shala mëngjesin e 2 janarit kanë përfunduar në stacion policor si të dyshuar për shkrepje armësh.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se gjithçka është zbuluar pas publikimit të pamjeve të incizuara nga vetë anëtarët e familjeve, e ku shpërfaqen të dyshuarit teksa shtiejnë me armë në ajër.
Ajo që është edhe më shqetësuese në këtë video të cilën e ka siguruar ekskluzivisht Gazeta Sinjali, është fakti se aty shihen edhe tre fëmijë të cilët trajnohen nga një i rritur se si të mbajnë armën dhe si ta ngrehin këmbëzën.
“Prit, prit, prit. Shtype shumë. Shumë, shumë”, dëgjohet i dyshuari, Alban Shala, teksa i jep instruksione se si ta mbajë armën dhe të gjuajë me të në ajër një vajzë e vogël.
“Bravo J***”, dëgjohet teksa thotë e entuziazmuar njëra nga gratë e pranishme, e cila duket se është krenare me të miturin që mësohet të përdorë armën.
E gjithë kjo ngjarje u bë sebep që Policia t’u shkojë në derë familjes në fjalë, ku kanë hasur në personat e dyshuar për rastin, të cilët kanë pranuar se kanë kryer veprën për të cilën dyshohen.
Agnesa, Xhelbrimi, Ylkiu dhe Albani u arrestuan dhe u shoqëruan në stacion policor ku para hetuesve kanë dhënë deklaratat e tyre lidhur me rastin.
Agnesa ka deklaruar se ka shtënë me armë zjarri për të festuar Vitin e Ri, ndërsa Alban Shala ka pranuar se është ai i cili shihet në video teksa ‘trajnon’ fëmijët që të gjuajnë me armë.
Armët që u përdoren në rast janë në pronësi të të moshuarit, Ylki Gashi, i cili ka bërë me dije posedon një armë me gaz dhe një pushkë automatike.
E tjetra armë që dyshohet se u përdor nga Agnesa Gashi, është në pronësi të Xhelbrim Gashit dhe i njëjti ka pranuar se ia ka huazuar armën të dyshuarës për ta shkrepur.
Ndryshe, Sinjali ka raportuar në vazhdimësi për përdorimin e armëve në netët festive në qytete të ndryshme në gjithë vendin.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.