Lajme

U kap mat duke vjedhur këpucë në një banesë, ky është i riu me të kaluar kriminale që u arrestua në Prishtinë

Vjedhjet e shumta nëpër shtëpi e banesa janë shndërruar në një shqetësim të madh për qytetarët, duke shkaktuar humbje e pasiguri. Ndër rastet më të shpeshta që ndodhin në objekte banesore janë edhe vjedhjet e këpucëve e gjësendeve të tjera që banorët lënë para dyerve të tyre. Gazeta Sinjali raportoi sot se një ndër hajnat që dyshohet për plot raste të tilla ka rënë dje në prangat e Policisë.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për 20-vjeçarin, Valon Berisha, i cili u arrestua pasi u kap mat nga disa banorë në një banesë në rrugën “Bedri Shala” në Prishtinë, duke vjedhur këpucë të ndryshme.

Sinjali mëson se i riu u ndalua nga dy viktimat, pronarë të banesave, të cilët e “dorëzuan” para Policisë dhe më pas kanë dhënë deklaratat e tyre se si e kapën të dyshuarin në flagrancë.

Sipas informacioneve të Sinjalit, pas verifikimit nga ana e Policisë, ka rezultuar se i dyshuari ka kryer edhe shumë vjedhje të tjera, vepër kjo të cilën e ka përsëritur në vazhdimësi.

Pas intervistimit dhe përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që ndaj tij të iniciohet rasti për veprën penale “vjedhje” dhe i njëjti të dërgohet në mbajtje për 48 orë.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.