Lajme

U dërgua në gjendje të rëndë në spital, vdes 32-vjeçari që po trajtohej në Entin Special në Shtime

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Qendrën Integruese Rehabilituese të Sëmundjeve Kronike Psikiatrike në Shtime, ku një person që po trajtohej aty ka ndërruar jetë në moshë të re, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës së Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Shtime kanë bërë me dije se i ndjeri ishte dërguar atje në gjendje të rëndë nga punonjësit e Entit Special.

32-vjeçarit i ishte përkeqësuar gjendja në Entin Special dhe të njëjtit i ishte ofruar ndihma e parë mjekësore. Për shkak të gjendjes në të cilën ndodhej ai është dërguar me urgjencë në QKMF, ku edhe ka ndërruar jetë.

Lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë kryer ekzaminimet e nevojshme. Sinjali mëson se tek i ndjeri nuk janë parë shenja apo lëndime të dukshme.

Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa rasti është cilësuar ‘Vdekje e dyshimtë’.