Tronditëse: Vajza e mitur e zhdukur në Pejë dyshohet se është dhunuar nga një burrë 63-vjeçar
Të miturat janë viktimat më të shpeshta të ngacmimeve seksuale, sulmeve seksuale e dhunimeve në Kosovë. Raste të tilla dhe mjaft të trishta po tronditin familjet e tyre, që kërkojnë ndihmë dhe mbrojtje nga institucionet. Shumë herë këto ngjarje zbulohen pasi viktimat largohen nga shtëpia dhe nuk dihet asgjë për fatin e tyre, raporton Gazeta Sinjali.
Një rasti i tillë dyshohet se ka ndodhur këtë muaj në Pejë, pasi një familje kërkoi ndihmën e Policisë për vajzën e tyre 15-vjeçare që ishte raportuar e zhdukur. Vajza u gjet, por ajo që u zbulua pas hetimeve doli të jetë tronditëse për familjen.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se familja fillimisht s’kishte informacione për fatin e saj për ditë të tëra, prandaj e denoncuan rastin. Gjatë kohës sa nuk dihej asgjë për vendndodhjen e saj, një person i moshës 63-vjeçare po dyshohet se e kishte keqpërdorur seksualisht, duke kryer marrëdhënie seksuale me të.
Pasi vajza u gjet, e njëjta më pas u dërgua në spital për ekzaminimet e nevojshme dhe më pas ka dhënë deklaratën e saj lidhur me atë se çfarë kishte ndodhur gjatë kohës që ajo ishte larg shtëpisë.
Njësitet policore janë vënë menjëherë në lëvizje për të kapur personin e dyshuar, me ç’rast i njëjti është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor.
Pas përfundimit të procedurave policore, me urdhër të prokurorit, të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orëve dhe ndaj tij hapet rast nën dyshimet se ka kryer veprën penale ‘Dhunim’.