Tri vdekje të dyshimta në Kosovë për një ditë
Tre persona kanë vdekur të shtunën në Ferizaj, Viti dhe Prizren, ka njoftuar policia e Kosovës përmes raportit 24-orësh.
“Është gjetur pa shenja jete në vendin e tij të punës viktima mashkull kosovar nga Ferizaj. Në vendin e ngjarjes kanë dal njësitet policore dhe prokurori, ndërsa vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësorë në vendin e ngjarjes. Në konsultim me prokurorin, trupi i pa jetë i viktimës u është dorëzuar familjarëve”, ka njoftuar policia.
Ndërkaq në Viti, është gjetur pa shenja jete në oborrin e shtëpisë së tij një person, derisa sipas familjarëve viktima ishte dërguar në QKMF, por mjekët kanë konstatuar se viktima ishte pa shenja jete.
“Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa në konsultim me prokurorin trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion. Rasti është duke u hetuar”, njofton policia.
Vdekjen e një personi në Prizren e ka konstatuar ekipi mjekësor, teksa rasti në polici është hapur si “vdekje e dyshimtë”.
“Njësitë relevante policore kanë dal ne vendin e ngjarjes. Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit me urdhër të së cilit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion, rasti vazhdon të hetohet”, thuhet në raportin e policisë.
Po ashtu në Ferizaj organet e rendit kanë arrestuar një person nën dyshimin se ka kryer marrëdhënie seksuale me një të mitur pak ditë më parë.
“Viktima femër kosovare e mitur ka raportuar se më datë të cekur kishte pas marrëdhënie seksuale me të dyshuarin mashkull kosovar”.
Sipas njoftimit, me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.