Tragjike: Ky është burri që dyshohet se bëri vetëvrasje në Gjakovë, Policia e Prokurori në vendngjarje
Gazeta Sinjali raportoi sot për një ngjarje të rëndë që ndodhi në rrugën “Mihal Grameno në Gjakovë, ku një burrë është gjetur pa shenja jete dhe sipas informacioneve të para dyshohet për vetëvrasje. Policia dhe Prokurori i Shtetit kanë dalë në vendin e ngjarjes, ndërkohë ende nuk dihet motivi.
Burimet e Sinjalit brenda Spitalit të Gjakovës kanë bërë me dije se personi që dyshohet se i dha fund jetës së tij është Skender Bordoniqi, i njohur si “Kena”.
Vdekjen e tij e ka konstatuar mjeku në Emergjencë, ku i ndjeri u dërgua menjëherë, por fatkeqësisht pa shenja jete.
“Kena” ka lënë pas bashkëshorten dhe dy fëmijë dhe akoma s’dihen detajet e këtij rasti tragjik që tronditi familjen e tyre.
Ndërkohë në punëtorinë ku ndodhi rasti, kanë dalë njësitet përkatëse të Policisë dhe Prokurori i Shtetit, me ç’rast janë kryer ekzaminimet e nevojshme.
Lajmin e kanë konfirmuar për Sinjalin edhe nga Policia, si dhe u bë e ditur se me vendim të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rasti “Hetim i vdekjes”.
“Viktima mashkull i moshës madhore është gjetur pa shenja jete, në një punëtori në rrugën “Mihal Grameno” -Gjakovë. Vdekja e tij është konstatuar në Spitalin Rajonal në Gjakovë. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e nevojshme policore . Me vendim të prokurori të shtetit (i cili po ashtu ka dalë në vendin e ngjarjes) është iniciuar rast “hetim i vdekjes”. Trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion.” – thuhet në përgjigjen e Policisë.