Tragjedia në Malishevë, ky është i riu që dyshohet se u vra nga shoku i tij
Një ngjarje e rëndë tronditi mëngjesin e sotëm Malishevën dhe gjithë vendin. Isuf Zogaj dyshohet se privoi nga jeta shokun e tij, duke e qëlluar me armë zjarri. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor që doli në vendin e ngjarjes, ku i riu u gjet pa shenja jete, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se viktima është Avni Basha.
Sipas sinjalizuesve të Gazetës Sinjali, ngjarja ka ndodhur pas një mosmarrëveshje që lidhet me motive banale mes Zogajt dhe Bashës.
Rastin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj.
“Rreth orës 07:15 është raportuar se në fshatin Banjë-Malishevë, viktima mashkull i moshës madhore është gjetur pa shenja jetë, dyshohet të jetë qëlluar me armë zjarri. Ekipi mjekësor i cili ka dalë në vendin e ngjarjes ka konstatuar vdekjen e tij. Një person, po ashtu mashkull i moshës madhore, është dorëzuar në Stacionin Policor në Malishevë dhe nga hetimet e para dyshohet se i njëjti, për motive ende të panjohura, ka qëlluar viktimën me armë zjarri. Njësitet e nevojshme policore kanë dalë në vendin e ngjarjes si dhe është njoftuar prokurori i shtetit në koordinim të cilin janë duke u ndërmarr veprimet e nevojshme hetimore”, tha Elezaj për Sinjalin.
Sinjali do të iu mbajë të informuar me detajet e reja lidhur me rastin.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.