Lajme

Tmerrohet familja në Gjilan: Tre persona të maskuar u hyjnë në shtëpi, nën kërcënimin e armës marrin para e stoli të arit

Vjedhjet e grabitjet brenda shtëpive private, banesave, institucioneve financiare e bizneseve të ndryshme, po u shkaktojnë humbje e pasiguri të mëdha qytetarëve të vendit, raporton Gazeta Sinjali.

Me një rast të frikshëm janë përballur mbrëmë rreth orës 18:30 një familje në rrugën ‘Murat Kryeziu’ në Gjilan, ku persona të panjohur hynë me forcë në shtëpinë e tyre dhe vodhën para të gatshme e stoli ari.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se rastin në Polici e ka denoncuar pronari i shtëpisë, i cili ka deklaruar se kanë qenë tre persona të cilët të maskuar dhe nën kërcënimin e armës kanë arritur që të marrin rreth 1 mijë e 500 euro para të gatshme dhe stoli të arit që kapin vlerën e rreth 4 mijë eurove.

Të dyshuarit menjëherë pas kryerjes së veprës janë larguar në drejtim të panjohur, teksa në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore të cilët kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.

Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Grabitje’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të identifikohet personat e dyshuar.