Thotë se e zuri duke e tradhtuar, 51-vjeçari në Gjakovë dëbon gruan nga shtëpia – ajo kërkon ndihmën e Policisë
Evidentimi ditor i rasteve të reja të dhunës në familje, është shndërruar në një rutinë të pandashme, pasi që çdo ditë e më shumë raportohen me dhjetëra raste të dhunës në familje. Tragjeditë familjare, dyshimet për tradhti, abuzimi me alkoolin e bixhozin dhe xhelozia bëhen shpesh shkaktarë të dhunës që përjetojnë gratë në Kosovë nga partnerët e tyre, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur së fundi në një familje në rrugën ‘Hyrije Hana’ në Gjakovë, ku një burrë dyshohet se e ka dëbuar bashkëshorten e tij nga shtëpia.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se 45-vjeçarja ka denoncuar rastin në Polici, duke deklaruar se i shoqi e akuzon për tradhti dhe kjo është arsyeja përse nuk dëshiron të jetojë më me të.
Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë arrestuar të dyshuarin dhe të njëjtin e kanë shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.