Theret me thikë një i ri në Shtime, dërgohet me urgjencë në QKUK
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme në rrugën ‘Tahir Sinani’ në Shtime, ku një person është dërguar me urgjencë në spital për shkak të lëndimeve që dyshohet se i mori nga një therje me thikë.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës kanë bërë me dije se 21-vjeçari ishte dërguar atje në gjendje të rëndë si pasojë e plagëve që kishte në pjesën e barkut. Pas dhënies së ndihmës së parë, për shkak të natyrës së lëndimeve, i riu është transferuar me urgjencë për në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.
Momentalisht nuk dihen motivet që çuan në ngjarjen e rëndë dhe as nuk është identifikuar ende ndonjë person i dyshuar.
Me urdhër të prokurorit rasti është cilësuar ‘Lëndim i rëndë trupor’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren varësisht nga zhvillimi i hetimeve.