Lajme

Thellohet skandali: Fotografia që dëshmon afërsinë e imamit Mjekiqi me komandantin e policisë

Kreu i Bashkësisë Islame në Obiliq, Behar Mjekiqi, u lirua në mënyrë të dyshimtë të martën në mbrëmje pas shoqërimit në polici nën dyshimin për rrahjen e të dashurës së tij.

Lirimi i tij pa u ndaluar për 48 orë përgjatë procedurës hetimore dyshohet se u ndikua nga Komandanti i Stacionit Policor në Obiliq, Sejdi Zeqiri.

Paparaci raportoi sot sesi komandanti Zeqiri ka transportuar viktimën, të dashurën e imamit Mjeqkiqi, nga Obiliqi drejt Maqedonisë së Veriut në vendlindjen e saj. Paraprakisht, ai dyshohet se ka ndikuar në lirimin e Mjekiqit në procedurë të rregullt.

Imami Mjekiqi dhe komandanti Zeqiri ngjan se kanë afërsi me njëri-tjetrin, bazuar në një fotografi që ka siguruar Paparaci.

Fotografia të cilën e ka siguruar mediumi tregon imamin Behar Mjekiqi në shoqërinë e komandantit Sejdi Zeqiri, të ulur pranë njëri tjetrit në një ambient privat.

Imami Behar Mjekiqi i cili u denoncua të mërkurën për dhunë ndaj të dashurës së tij, me inicialet E.J., u arrestua nga Policia e më pas u lirua në procedurë te rregullt.

Mjekiqi dyshohet se e ka larguar viktimën, me të cilën kishte lidhje dashurie, me dhunë nga shtëpia e tij në fshatin Mazgit. Dyshohet se e ka shtyrë, e ka rrëzuar në tokë dhe e ka tërhequr atë zhagas drejt oborrit të shtëpisë.

Derisa e ka nxjerrë me dhunë nga shtëpia, imami Mjekiqi ia ka marrë telefonin viktimës E.J. duke i shkaktuar lëndime në të dy duart.

Sipas raportit që ka siguruar Paparaci, E.J. ka ardhur në shtëpinë e imamit Mjekiqi në Mazgit të Obiliqit të dielën më 18 dhjetor.
Në ditën e tretë të qëndrimit në shtëpinë e imamit, ajo është larguar me dhunë nga shtëpia.

Siç shpjegohet në raport, E.J. ka thënë se imami Mjekiqi, gjatë kohës kur e kishte larguar dhunshëm nga shtëpia, e kishte marrë revolen e tij në dhomën ajo ndodhej, mirëpo nuk “është kanosur nga i dyshuari”.

Sipas dosjes të cilën e ka siguruar Paparaci, e dëmtuara nuk ka dëshiruar strehim sepse “ka dëshiruar të shkoj te familja e saj në Maqedoninë e Veriut”.

Kurse,Prokuroria themelore e Prishtinës nuk është deklaruar lidhur me lirimin e imamit Mjekiqi, në një përgjigje të dërguar me shkrim pasditen e së enjtes.

“Rastit të cilit i referoheni, ju njoftojmë se me të marrë informatën, prokurori kujdestar me kujdes dhe në mënyrën më të mirë të mundshme i ka analizuar dhe trajtuar të gjitha informatat dhe të gjeturat fillestare të këtij rasti”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë për Paparacin.

“Viktimës i është ofruar gjithë ndihma e nevojshme, po ashtu, e njëjta është pyetur nëse dëshiron të shkojë në Strehimore, mirëpo ka refuzuar dhe është shprehur se dëshiron të shkojë në shtëpinë e saj. Ndërkaq, prokurori kujdestar ka urdhëruar që rasti të hapet (iniciohet) për dhunë në familje dhe të trajtohet tutje konform dispozitave ligjore të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës”, përfundon përgjigjja e prokurorisë.