“Tërheqje zvarrë, grushta e dru”- Këta janë hoxhallarët kosovar që dyshohet se rrahën gratë e tyre
Ndonëse me profesion janë hoxhallarë dhe si ligji ashtu edhe feja e ndalon dhunën, hoxhallarët del të jenë promovues të saj. Dy hoxhallarë të njohur, Behar Mjekiqi dhe Drilon Gashi janë të dyshuar për ushtrim dhune ndaj grave. Përkundër se në ligjërata publike të njëjtit janë paraqitur si hoxhallarë modern, në praktikë duket se kanë vepruar ndryshe.
Rasti i cili bëri bujë mediatike për ushtrim dhune ishte ai i hoxhë Behar Mjekiqit. Në dhjetor të vitit të kaluar, hoxha i cili publikisht i mbronte gratë duke cituar edhe ajete kuranore, u denoncua në polici nga e dashura për sulm fizik, shkruan Insajderi.
Imami nga Obiliqi, dyshohet se me dhunë kishte larguar viktimën E.J., nga shtëpia e tij, duke e shtyrë dhe tërhequr zvarrë drejt oborrit të shtëpisë. Gjatë nxjerrjes me dhunë, ai dyshohet t’i ketë marrë me forcë telefonin nga duart, gjë që i kishte shkaktuar lëndime trupore.
Pas intervistimit nga policia, Mjekiqi kishte mohuar se ushtroi dhunë ndaj viktimës, ndërsa deklaronte se ndihej i kërcënuar nga ajo.
“Më tutje i dyshuari pohon se arsyeja pse unë dua ta largoj nga shtëpia është se ndihem i kërcënuar nga E.J. sepse me ka kërcënuar se do ta kalli shtëpinë, do ta mbys djalin”, thuhej në raportin e policisë referuar deklaratës së Mjekiqit.
Pavarësisht ngjarjes së ndodhur, me urdhër të prokurorit kujdestar Musa Mehaj, imami Behar Mjekiqi u lirua në procedurë të rregullt.
‘’Obiliq 20.12.2022 – 18:30. Ankuesja femër shqiptare ka raportuar se i dyshuari mashkull kosovar me të cilin ka qenë duke bashkë jetuar, e ka larguar nga shtëpia. I dyshuari, është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit. Viktimës iu është ofruar tretman mjekësor. Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit i cili ka rekomanduar që i dyshuari të lirohet dhe rasti të procedohet në procedurë të rregullt”, thuhej në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.
Rast të ngjashëm po del të ketë edhe hoxhë Drilon Gashi i cili aktualisht është edhe këshilltar i Glauk Konjufcës.
Gashi, gjatë vitit 2018 dyshohet se kishte rrahur bashkëshorten e tij. Për këtë vepër, ai ishte gjykuar nga Gjykata Themelore në Pejë e cila i kishte shqiptuar vërejtje gjyqësore.
Bazuar në aktakuzë, pas një mosmarrëveshje ai kishte ushtruar dhunë fizike ndaj gruas duke e goditur me grusht dhe me dru, si pasojë viktima kishte përfunduar me lëndime trupore.
Gjykata Themelore e Pejës e kishte mbyllur rastin me një vërejtje gjyqësore duke u bazuar në rrethanat lehtësuese si pendimi, pajtimi me gruan dhe gjendja e rëndë ekonomike që ia pamundësoi pagimin e gjobës.
“Në shqyrtimin fillestar i pandehuri- pasi që paraprakisht i është lexuar aktakuza, është njoftuar me të drejtat dhe detyrimet procedurale, dhe pasojat e pranimit, përkatësisht mos pranimit të fajësisë. Drilon Gashi ka pranuar fajësinë dhe ka manifestuar keqardhje për atë se çfarë ka ndodhur. Këtë pranim të fajësisë, gjyqtari pasi që paraprakisht ka e ka marrë pëlqimin nga pakurori i shtetit dhe të dëmtuarës, i bindur se pranim-fajësinë i pandehuri e ka bërë ashtu siç e parasheh ligji – vullnetarisht pa u ndikuar nga askush dhe në asnjë mënyrë, e ka pranuar”, thuhet në vendim.
Gashi, 4 vite më parë ishte shkarkuar nga puna si imam i xhamisë “Nur” në Vitomericë të Pejës. Ndër arsyet e shkarkimit të tij ishte kontraversiteti gjuhësor që nuk përkon me Islamin. /Gazeta Insajderi